Autori i përmbledhjes poetike “Dyzet ëndrrat”, Arben Rashkaj, i cili 40 ëndrrat e tij i ka shkrirë në poezi, që përkojnë edhe me moshën që ka ai, promovon sot (12.04.19) librin respektiv, në Shtëpinë e Kulturës, në Prizren, në ora 18:00. Për të mësuar më shumë rreth përmbajtjes së përmbledhjes poetike “Dyzet ëndrrat”, Radio KFOR-i kontaktoi redaktorin e librit, Adriatik Zeqiri, i cili është njohës i thellë i letërsisë në përgjithësi dhe mes tjerash nënvizoi:
“Përmbledhja është e ndarë në katër cikle përmbajtjësore me një ndërlidhje strukturale mes tyre. Ka një maturim më të madh në strukturimin artistik të këtyre poezive dhe të përmbledhjes në tërësi. Vlen theksuar se Arbeni është një autor që e ka krijimin letrar në një nivel të arrirë të shprehjes së ndjenjës dhe të motivimit”, ka thënë mes tjerash redaktor i “Dyzet ëndrrat”, Zeqiri. Arben Rashkaj deri më tani ka botuar poezi në shumë revista letrare, siç janë: “Ars”; “Jeta”; “Metafora”, “Yllësia e vargut” etj.