Bashkëjetesa dhe bashkëpunimi i fortë në mes të komuniteteve të ndryshme në Kosovë rezulton me projekte të dobishme, nga të cilat përfiton e gjithë shoqëria, pa asnjë dallim. I tillë ishte edhe projekti i radhës nga KFOR, i realizuar në shkollën Fillore “Ditët e Minatorit”, në fshatin Sushicë të Komunës së Graçanicës, i inicuar nga përfaqësues të Komunitetit Serb dhe atij Shqiptar në këtë fshat. Falë këtij donacioni nga KFOR-i, në kuadër të projektit “CIMIC”, dhjetëra nxënës nga sot do ta kenë një terren të përshtatshëm sportiv në oborrin e shkollës së tyre, të pajisur me të gjitha elementet e nevojshme sportive. Një nga synimet kyçe të Misionit të KFOR-it në Kosovë është që të forcojë akoma më shumë bashkëpunimin dhe raportet e shëndosha me të gjitha komunitetet në Kosovë, tha për Radio KFOR-in, Komandanti i Batalionit Regjional – Lindje, Koloneli amerikan, Robert Hughes dhe shtoi:“Sot jemi mbledhur këtu për të dhuruar një donacion të CIMIC-ut. Kemi dhuruar disa pajisje dhe lodra për fëmijët e kësaj shkolle. Kjo tregon bashkëpunimin e mirë që ka KFOR-i me komunitetin dhe synimin për të krijuar marrëdhënie akoma më të forta. Fytyrat e buzëqeshura të këtyre fëmijëve bëjnë që ne të ndihemi akoma më të lumtur për punën tonë. Madje, ata kanë përgatitur një shfaqje për neve, gjë që na gëzon shumë. Atyre iu them që t’i përfundojnë detyrat e tyre dhe të bëhen gati për një të ardhme të ndritur, e cila i pret të gjithë njerëzit në Kosovë. Qëllimi ynë është që të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjitha komunitetet, me grupe të ndryshme, veçanërisht me fëmijët, të cilët do të luajnë bashkë dhe do të argëtohen në këto lodra.”
Jashtëzakonisht mirënjohës për ndihmën e KFOR-it në realizimin e këtij projekti u shpreh edhe përfaqësuesi i Fshatit Sushicë, Uros Jovanovic, i cili tha: “Me ndihmën e tyre (KFOR) sot kemi këtë terren sportiv dhe lodra që ata dhuruan. Ne në Sushicë veçse shoqërohemi mes vete. Tashmë kemi një terren sportiv në qendër të fshatit Sushicë ku ne, në baza ditore, bëjmë aktivitete fizike, luajmë futboll dhe basketboll së bashku, ndonjëherë më saktë, përdorim të njëjtin terren edhe serbët edhe shqiptarët. Epo mesazhi është që ne duhet të jemi bashkë dhe duhet të vazhdojmë të jetojmë së bashku pa asnjë pengesë”.
Ngjashëm, edhe nga Komuna e Graçanicës, falendëruan KFOR-in që mundësuan realizimin e këtij projekti. “Unë jam Danic Sasha, Nënkryetari i Komunës së Graçanicës dhe mund të them që jam shumë i kënaqur që kam hapur një terren sportiv në shkollën shqipe në Sushicë. Prioriteti për ne këtë vit ishte terreni i trajnimit, sepse rinia jonë do të thotë shumë për ne dhe investimi në rini është një investim në të ardhmen. Dua të falënderoj KFOR-in, ky nuk është bashkëpunimi ynë i parë dhe jam i kënaqur që ata e kanë realizuar gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me të gjithë për të mirën e qytetarëve tanë.”
Në shenjë mirënjohje për kontributin e KFOR-it në realizimin e këtij projekti, fëmijët e shkollës “Ditët e Minatorit” dhuruan edhe një shfaqje me poezi e këngë për të gjithë të pranishmit.