Përfitimet e bashkëpunimeve shumetnike janë të shumëfishta, ku përmes komunikimit dhe bashkëpunimit ndëretnik ne krijojmë miqësi të reja por edhe mësojmë të ndërtojmë të ardhmen, duke bashkëpunuar dhe përqafuar kulturat e njëri-tjetrit. Është organizata jo-qeveritare ‘Community Building Mitrovica’, e cila tash e disa vite përmes projekteve të ndryshme, ka kontribuar në bashkimin e komuniteteve.
Rreth bashkëpunimit dhe projekteve të kësaj organizate, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me Zyrtaren e Programeve në ‘Community Building Mitrovica’, znj. Neri Ferizi: “Kemi aktivitete të ndryshme të bazuara në projekte të financuara nga ambasada të ndryshme në Kosovë dhe USAID, që kryesisht kanë të bëjnë me ndërtimin e paqes. Në projektin të cilin unë e udhëheq ‘Pajtimi dhe transformimi i konfliktit’, shërben si urë lidhëse për komunitetet në Mitrovicë, mirëpo edhe për institucionet, që të bëjmë bashkë jo vetëm të rinjtë por edhe gratë dhe komunitetin në përgjithësi. Bashkëpunimi në mes të komuniteteve është ende i brishtë, por ne punojmë në atë drejtim ku tashmë shoqëritë civile të jugut dhe veriut, bashkëpunojnë shumë mirë dhe ne tentojmë të iniciojmë kontaktet e para të komunitetit serb dhe shqiptar. Mendoj që është mirë që të rinjtë të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ofrojnë organizatat, por edhe institucionet nëpërmes projekteve multietnike sepse përveç që njeh komunitete të tjera, zgjeron edhe njohuritë tuaja, por edhe të kuptojmë një kulturë tjetër.”
Të ndërtojmë të ardhmen së bashku pa paragjykime dhe duke mbështetur, pranuar dhe bashkëpunuar me të gjitha komunitetet në Kosovë.