Për të ju mbajtur të përditësuar me gjendjen momentale me Covid-19, Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me Dr. Egzon Shehun, Specializant në Endokrinologji në QKUK, i cili tregoi për situatën aktuale me pandeminë në Kosovë, ku mes tjerash pohoi: “Gjendja vazhdon të jetë mjaft e rënduar në Klinikën Infektive 2 (Mjekësi Sportive). Deri më tani janë afër 95 pacient të shtruar, pothuajse të gjithë me oksigjenoterapi, por numri mund të ndryshoj gjatë ditës, varësisht nga gjendja e pacientit. Disa me gjendje më të mirë mund të lirohen, duke vazhduar terapinë në shtëpi, e disa të tjerë mund të shtrohen, për shkak se kërkesa është shumë e madhe dhe vazhdimisht vjen duke u rritur. Punë e rënduar, ankesa të shumta të pacientëve, mirëpo gatishmëria e mjekëve është për tu lavdëruar, gjithmonë brenda kapaciteteve dhe kushteve që kemi”, theksoi Dr. Egzoni, duke tërhequr paralele në mes të valës së kaluar të virusit me variantin Delta, ku mosha e të infektuarve është shumë më e re. Doktori nënvizon se i vetmi shpëtim nga virusi Covid-19, është vaksinimi:
“Ajo çka vërehet nga vala e kaluar e Covidit përpara variantit Delta, është mosha e pacientëve, ku kemi të bëjmë me një moshë më të re, për shkak se varianti Delta përhapet shumë shpejt dhe prekë pothuajse të gjitha moshat, pa dallim. Duhet të ceket që shpesh herë edhe rrjedha e sëmundjes është e ndryshme te këto dy lloje te pacientëve. Zakonisht të vaksinuarit kanë simptoma më të lehta dhe prognozë më të mirë, në krahasim me pacientët që nuk janë te vaksinuar. Për shkak të fluksit të madh të pacientëve që kërkojnë ndihmë, është hap edhe klinika infektive 3 (Interno).Prandaj, ju bëj lutje të gjithëve vaksinohuni! E vetmja “armë” që kemi dhe e vetmja shpresë është vaksina. Ne jemi të gatshëm për juve gjithmonë, por mendoni edhe ju për ne mjekët! Edhe ne kemi familje, edhe neve na pret dikush në shtëpi, na e lehtësoni punën, por mbi të gjitha mbroni veten tuaj dhe ata njerëzit që doni! VAKSINOHUNI!”, apeloi Dr. Egzon Shehu.