Me moton “Nëse s’mund ta shohim botën, bota le të flasë për ne” me 29 nëntor, fillon Festivali i vetëm Ndërkombëtar i Teatrove “Prishtina International Theater Festival”, që organizohet nga Teatri AAB “Faruk Begolli”.
Ky festival synon të na afrojë me botën, të promovojë vlerat tona dhe mbi të gjitha t’i mundësojë publikut kosovar të njihet me rrjedhat bashkëkohore në lëminë e artit, në këtë kohë kur vazhdojmë të mbetemi të izoluar.
Cila është e veçanta e edicionit të sivjetmë të këtij festivali, na tregon drejtoresha e festivalit respektiv, Burbuqe Berisha.
“Kemi vendos këtë edicion me modifiku me një fjali, e cila është shumë e rëndësishme për ne ”Në qoftë se nuk do të kemi mundësi të kemi qasje në botë, atëherë bota le të ketë për ne, sepose është një Festival Ndërkombëtar i Teatrit, i cili përmban një program shumë të pasur artistik”, tha për Radio KFOR-in, Burbuqe Berisha.
Në programin garues do të paraqiten 7 shfaqje teatrore që vijnë nga Italia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova ndërsa në natën e fundit të festivalit, më 6 dhjetor 2018, në cilësinë e shfaqjes mysafire, do të jepet premierë shfaqja “Bretkosa”, prodhim i Teatrit AAB “Faruk Begolli”.