Mund të themi që viti 2022, ka qenë vit i festivaleve, sidomos përgjatë stinës së verës, kur kemi pasur aktivitete të shumta kulturore, të cilat kanë ndikuar edhe në zhvillimin e turizmit në vendin tonë. Siç duket, ky vit edhe do të përmbyllet me festë dhe festivale. Një lajm i mirë për artdashësit, sidomos ata që kanë pasion kitarën, se këtë dhjetor po vjen edicioni jubilar i ‘Vihuela Guitar Fest 2022’. Një festival që do të shfaq talentin e shumë të rinjve në instrumentin e bukur të kitarës.
Drejtori i këtij festivali, njëherit dhe Profesor i kitarës, z. Naser Dula, në një prononcim për Radio KFOR-in, tregoi më shumë rreth organizimit të këtij festivali: “Ky është edicioni i 10-të i ‘Vihuela Guitar Fest’. Ne po ndihemi me shumë fat, që kemi arritur ta sjellim në këtë nivel, festivalin e kitarës dhe pikërisht në edicionin jubilar, kemi vendosur të punojmë me kitaristët e rinj nga Kosova dhe Shqipëria. Në këtë edicion, do të ndajmë mirënjohje edhe për bashkëpunëtorët tanë, ndaj të cilëve jemi falënderues gjithmonë.”
‘Vihuela Guitar Fest 2022’, do të mbahet përgjatë datave 15-16 dhjetor, 2022, në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë.