Policia e Kosovës, u themelua si Institucion i Sigurisë në Kosovë, me datën 6 shtator, të vitit 1999. Ishte Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri (OSBE), e cila në pajtim me rezolutën 12/44 të Kombeve të Bashkuara, hapi Shkollën Policore dhe nisi trajnimin e kadetëve të parë, për t’u bërë policë të Kosovës.
Lidhur me këtë datë veçantë për Policinë e Kosovës, Radio KFOR-i morri një prononcim nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, z. Baki Kelani, i cili theksoi: “Data, 6 shtator, është datë shumë e rëndësishme për Kosovën, datë kjo që vuri themelet e Policisë së Kosovës, ku fillimisht ka filluar punën si polici me gjeneratën e parë, prej 176 kadetëve. Policia e Kosovës për këto 23 vite, përveç rezultateve dhe punëve me aktivitete të shumta, ku ka arritur rezultate pozitive dhe ka kaluar nëpër shumë sfida, por sfida këto të cilat falë përkushtimit dhe angazhimit, ka arritur që ti tejkalojë me suksese. Arriti të zhvillohet, arriti të ndërtohet në një polici moderne, me standardet më të larta demokratike. Sot, Policia e Kosovës është ngritur, është zhvilluar dhe ka avancuar, si në aspektin profesional të punëve me njësitet e saja relevante, po ashtu është ngritur dhe është zhvilluar edhe me burime njerëzore dhe ato teknologjike. Polica e Kosovës, nga 176 kadetët e parë, tani numëron mbi 9 mijë punonjës të saj. Punonjës këta, të cilët çdo ditë janë duke u përballur me detyra, angazhime dhe sfida të sigurisë, të cilat po arrijnë të përfundojnë me vullnet dhe me rezultat pozitiv, duke synuar dhe vazhduar çdo herë që t’i shërbejnë vendit dhe banorëve të saj!”
Policia e Kosovës në shërbim të të gjithë banorëve, në Kosovë!