Policia e Kosovës po shënon 27-vjetorin e themelimit, duke përkujtuar më shumë se dy dekada punë, përkushtim dhe shërbim ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.
Aktiviteti i Policisë së Kosovës përfshin patrullimin dhe reagimin ndaj rasteve emergjente, parandalimin dhe hetimin e veprave penale, sigurinë në komunikacion, mbrojtjen e fëmijëve dhe komuniteteve, si dhe ndërhyrjet në raste që kërkojnë reagim të shpejtë.
Gjatë 27 viteve, Policia e Kosovës ka investuar në trajnime, profesionalizim dhe zhvillimin e kapaciteteve operacionale, me synim rritjen e efikasitetit të shërbimeve dhe forcimin e bashkëpunimit me komunitetin. Përgatitja profesionale, reagimi në situata të ndryshme dhe puna e njësive të specializuara kanë kontribuar që Policia e Kosovës të vlerësohet si një prej institucioneve policore më profesionale dhe më të gatshme për reagim në rajon.
Në përvjetorin e themelimit, fokusi mbetet te puna e përditshme e zyrtarëve policorë dhe përgjegjësitë që institucioni ka në garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit publik dhe ofrimin e ndihmës për të gjithë qytetarët, pa dallim.







