Policia e Kosovës ka shtuar aktivitetet dhe patrullimet policore në nivel vendi dhe nga data 30 gusht, deri në pjesën e parë të shtatorit të këtij viti, ka shqiptuar rreth 41.000 mijë fletëparaqitje për kundërvajtje si dhe janë dhënë rreth 15 mijë vërejtje për shkelësit e Ligjit Anti- COVID-19, që mëton të parandaloj përhapjen e virusit. Policia vazhdon të jetë e përkushtuar në mbajtjen e rendit, duke ndëshkuar të gjithë personat, bizneset dhe institucionet që nuk respektojnë masat anti-covid. Në një intervistë për Radio KFOR-in, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha tregoi rreth punës së tyre gjatë kësaj kohe: “Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës sipas planifikimeve, ka filluar me kohë realizimin e detyrave konkrete në Kosovë, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste, pika kufitare etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa. Gjatë periudhës 24 orësh, janë shqiptuar 1.160 fletëparaqitje (tiketa), në bazë të ligjit anti-Covid.”
Policia e Kosovës po ashtu përpos angazhimeve operacionale në terren, është angazhuar edhe në parandalim me fushata dhe publikime vetëdijesuese dhe apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe bizneset, që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit CoViD-19.