‘CoViD-19’ ndryshoi komplet rutinën e jetesës, të punës, të shkollimit dhe shtoi frikën tek secili, duke e pyetur vetën se çka është ky virus, si transmetohet dhe sa do të jetë kohëzgjatja e tij?
Megjithatë, edhe pas të gjitha këtyre ndryshimeve, humbjeve e shumëçka tjetër, gjatë kësaj periudhe kemi mësuar të vlerësojmë jetën, t’i kushtojmë më shumë vëmendje shëndetit dhe natyrës.
Lidhur me këtë temë, Radio KFOR-it kontaktoi disa dëgjues, të cilët u shprehen:
– “Përshëndetje, unë jam Entela Lenjani. Mund të them se nga kjo pandemi kemi mësuar që disa gjërave, duhet t’ua dimë vlerën më shumë, së pari të jemi të lumtur që kemi shëndet, pastaj që kemi familje dhe të dashurit që na rrethojnë. Me shoqëri nuk kemi pasur mundësi të takohemi shpesh, por fatmirësisht kemi kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe telefonit.”
Ishte edhe dëgjuesja tjetër, Dea e cila mendonte pothuajse njëjtë sikurse Entela: “Gjatë kësaj pandemie kam mësuar se sa është e rëndësishme shëndeti dhe familja. Tani po ia dimë më shumë vlerën e kontaktit me njerëzit që i duam, takimit me shoqëri dhe shkuarjes fizike në shkollë. Pas gjithë kësaj që e kemi përjetuar, dua t’iu them të gjithëve që të kemi kujdes dhe t’i respektojmë masat, që sa më parë, t’i kthehemi bankave shkollore dhe realitetit”, tha Dea Ademi.