Javëve të fundit në Kosovë, numri i rasteve me infektim nga Covid-19 ka rënë dukshëm, gjithashtu edhe numri i personave që humbën jetën nga kjo sëmundje. Megjithatë, ligji anti-kovid është ende në fuqi dhe Policia e Kosovës, po vazhdon me ndërmarrjen e masave për mos respektimin e këtij ligji. Për të mësuar më shumë rreth numrit të tiketave të shqiptuara nga Policia e Kosovës, Radio KFOR-i kontaktoi me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha: “Bazuar në angazhimet e Policisë së Kosovës në zbatimin e ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid 19, nga data 26.08.2020, deri më 27 maj të këtij viti, janë shqiptuar 204.112 fletëparaqitje në bazë të ligjit COVID-19. Duke marrë parasysh sfidat dhe rrezikun që mund të vijnë nga prekja me virus apo edhe nga përhapja e virusit në fjalë, kërkojmë nga të gjithë pa dallim, që masat dhe kufizimet të respektohen në përpikëri dhe bashkërisht të arrijmë ta menaxhojmë pandeminë, në të mirë të shëndetit tonë dhe atij publik në përgjithësi.”
Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante kanë punuar intensivisht që nga fillimi i pandemisë, për të mbajtur në kontroll sigurinë dhe shëndetin publik të qytetarëve.