Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës në vazhdimësi ka realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa.
Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun pranë Policisë së Kosovës, për Radio KFOR-in tregoi më konkretisht rreth planit operativ të Policisë së Kosovës: “Që nga shfaqja e rasteve të para me COVID-19, në mars të vitit 2020, Policia e Kosovës ka hartuar një Plan Operativ në të cilin janë paraparë veprimet dhe aktivitetet policore. Ky plan ka pësuar përditësime të vazhdueshme varësisht nga vendimet e institucioneve karshi masave për parandalim të përhapjes së pandemisë. Policia ka koordinuar aktivitetet me institucionet e vendit në këtë aspekt. Që nga hyrja në fuqi e Ligjit Anti-COVID -19, policia e ka pasur më të lehtë operimin në teren dhe bazuar në këtë ligj edhe ka shqiptuar gjoba për shkelësit e tij. Nga data 26.08.2020, kur ka hyrë në fuqi ligji në fjalë, policia ka shqiptuar 206.790 gjoba.”
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që t’u përmbahen rregullave dhe t’i respektojnë masat anti-COVID – 19.