Me qëllim që të bëhet parandalimi i aksidenteve rrugore, Policia e Kosovës në vazhdimësi është duke kryer aktivitete në terren, por njëkohësisht është duke ndërmarr masa ndëshkuese ndaj atyre personave që nuk respektojnë rregullat dhe shenjat në trafik.
Krahas kësaj, Policia e Kosovës në vazhdimësi është duke realizuar edhe fushata që kanë për qëllim krijimin e një mjedisin të sigurt, për të gjithë. Në mesin e shumë kampanjave vetëdijesuese, në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës, kosovopolice.com, gjejmë fushatat aktive për të cilat angazhohet Policia e Kosovës, me qëllim të vetëdijesimit të popullatës dhe për të qenë sa më afër saj. Disa nga këto fushata janë:
– “Një shuplakë është dhunë. Dhuna është krim”, misioni i OSBE-së dhe Policia e Kosovës lansuan fushatën e përbashkët kundër dhunës në familje, me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit dhe të parandalimit më efektiv të dhunës.
– “Njihuni me policin e lagjes tuaj”, ku Policia njeh faktin që nuk mundë t’i zgjidhë problemet e sigurisë duke vepruar e vetme, për këtë arsye, ajo nxit partneritetin aktiv me qytetarët dhe bëhet pjesë integrale e bashkësisë dhe e ndihmon atë në përcaktimin e prioriteteve për zgjidhjen e problemeve në një sektor të caktuar patrullues.
– “Lajmëro Policinë”, është platformë elektronike, e cila iu mundëson qytetarëve të lajmërojnë të gjitha rastet në Policinë e Kosovës. Aplikacioni mund të shkarkohet në platformën “Play Store”, për pajisjet mobile me sistem operativ “Android”, ndërsa në të ardhmen do të jetë i qasshëm edhe në platformën “iOS”.
– “Udhëzues për media”, Raportim i rasteve të trafikimit me njerëz dhe roli i mediave në ngritjen e vetëdijes dhe parandalimin e trafikimit të njerëzve.
– “Shpejtësia vret!”, është fushata tjetër e cila ofron këshilla për pjesëmarrësit në trafik. Policia e Kosovës në vazhdimësi u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik, e në veçanti shoferëve të automjeteve, të respektojnë rregullat e trafikut, në të kundërtën do të ndërmerren masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi.