Policia e Kosovës edhe gjatë muajit shkurt, po vazhdon të organizojë kampanja dhe fushata të ndryshme vetëdijesuese, e kësaj radhe vijnë me kampanja për ruajtjen dhe sigurinë e të gjithë banorëve në Kosovë.
Njësia e Trafikut në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, përveç angazhimeve në parandalimin e aksidenteve dhe ofrimit të sigurisë në trafik, krahas kësaj edhe në fushën e vetëdijesimit, po vazhdon me ligjërata nëpër shkolla fillore, me temën ‘Siguria në trafik’. Këto ligjërata kanë për synim të plotësojnë nxënësit me njohuri shtesë dhe të domosdoshme në fushën e rregullave primare të sigurisë në trafik.
Gjithashtu të gjitha stacionet policore të Rajonit të Prishtinës, po realizojnë takime me përfaqësues të shkollave, prindër si dhe ligjërata për nxënësit në shkolla. Bazuar në planifikimet në kuadër të stacioneve, do të vazhdojnë ligjëratat rreth delikuencës së të miturve, rregullave në trafik, dhunës në familje, pasojat e përdorimit të narkotikëve, bullizmit dhe masave parandaluese, ngacmimeve seksuale, etj.