Policia e Kosovës në vazhdimësi po ndërmerr fushata vetëdijesuese, të cilat kanë për qëllim përmirësimin dhe parandalimin e shkeljeve që bien ndesh me ligjin. Edhe këtë vit, Policia e Kosovës po zhvillon aktivitete të shumta që kanë për qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion. ‘Si të jemi më të sigurt në timon gjatë mjegullës‘, ‘Siguria në trafik’, ‘Shofer, tregohuni të vëmendshëm!‘, ‘Mbani distancën e sigurisë‘‚ ‘Mos shpejto, e ke vetëm një jetë‘, janë këto vetëm disa nga kampanjat e radhës dhe angazhimet e shumta të Policisë së Kosovës, përgjatë këtij viti.
Kur jemi te siguria në komunikacion, Radio KFOR-i ka marrë një prononcim nga Shefi i Divizionit për Komunikacionin Rrugor në Policinë e Kosovës, z. Jeton Rexhepi: “Sipas statistikave, gjatë vitit 2022 kemi pasur një rënie të numrit të përgjithshëm të aksidenteve në trafik, përveç aksidenteve me të lënduar, ndërkohë Policia e Kosovës ka shtuar aktivitetet dhe fushatat vetëdijesuese për sigurinë në trafik.”
Krahas kësaj, Policia e Kosovës është duke zhvilluar fushata të ndryshme që përfshijnë: dhunën në familje, sigurinë në dasma, fushata për siguri në komunikacion edhe për ngasësit e motoçikletave, biçikletave, etj. Po ashtu, Policia e Kosovës po ndërmerr fushata që kanë për qëllim edhe respektimin e të gjithë njerëzve, pa dallim.