Moti i ftohtë, me lagështinë e tij të ulët, mund ta dëmtojë dukshëm lëkurën tonë, duke e bërë atë të thatë dhe të krisur, jo vetëm nga ajri më i thatë, por edhe nga ngrohja e brendshme në shtëpi, e cila varfëron më tej lëkurën nga lagështia. Ekspertët e fushës respektive, nënvizojnë se shëndeti i lëkurës është i rëndësishëm jo vetëm për hir të pamjes, por sepse lëkura kryen shumë nga detyrat thelbësore të trupit. Ndër të tjera, mbron trupin nga viruset dhe bakteret e shumta, ndaj të cilave një person ekspozohet çdo ditë. Muajt e motit të ftohtë, mund të komprometojnë shumë shëndetin e lëkurës, duke shkaktuar kushte të tilla, siç është kseroza (lëkurë e thatë) ose ekzema (njolla të thata e të kuqërremta), të cilat mund të ndryshojnë në ashpërsi.
Sipas dermatologëve, lëkura duhet të trajtohet me kremra zbutës në një sasi të konsiderueshme për të mbajtur një standard mesatar të hidratimit të lëkurës. Hidratimi bëhet pas dushit, pas tharjeve të mira për të mos e lënë lëkurën me lagështi. Për lëkurat me ngjyrë të hapur, përdoren filtra me faktor mbrojtës mbi 30, për lëkura me më shumë pigment, mund të përdoret faktori nga 15 e sipër. Kjo është mbrojtja që ne i bëjmë lëkurës nga rrezet e diellit, sepse edhe në dimër dielli ka forcë dhe gjatësi vale UVA dhe UVB. Sezoni i dimrit mund ta bëjë të vështirë t’i rezistosh ushqimeve të shpejta dhe jo fort të shëndetshme dhe ajo çka ju konsumoni, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si reagon lëkura juaj. Mundohuni që ti rezistoni ushqimeve me përqindje të lartë të yndyrës dhe kalori dhe në vend të kësaj, mundohuni që të konsumoni yndyrë të shëndetshme. Nëse keni menduar për një trajtim të fytyrës, tani është koha më e mirë për ta bërë atë. Trajtimet e ndryshme të bazuara në varësi të nevojës së lëkurës, mund të ndihmojë për ta bërë lëkurën tuaj të duket më e hidratuar, e ushqyer dhe plot shkëlqim gjatë dimrit të ftohtë.