Qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, nga sot (24.06.20), do ta kenë shumë më të lehtë komunikimin me Policinë e Kosovës për paraqitjen e rasteve që kanë të bëjnë me dhunë, vjedhje, shkeljet e ligjit në komunikacion, armë, korrupsion, substanca narkotike, e të tjera. E gjithë kjo do të bëhet falë Aplikacionit Mobil të emërtuar “Lajmëro Policinë”, i cili nga sot është i qasshëm në ‘Play Store’, për të gjithë qytetarët.
Ky aplikacion u lansua përmes një konference për media, në të cilën, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Qalaj, tha se Policia e Kosovës është në rrugë të duhur që t’ju ofrojë shërbime sa më efikase të gjithë qytetarëve, pa dallim: “Ky aplikacion do të jetë një lehtësim i madh për qytetarët që të raportojnë edhe në mënyrë dixhitale, rastet për të cilat deri më tani i kanë raportuar vetëm fizikisht. Edhe për nga koha do të jetë shumë më shpejt si dhe besoj që këto lajmërime do të jenë shumë më konfidenciale. Ky aplikacion është shumë i rëndësishëm edhe për efikasitetin e Policisë, sepse besoj fuqishëm që policët tanë do të jenë më të shpejtë në përgjigjen e rasteve dhe do të kemi komunikim më të mirë me qytetarin. Jemi në rrugën e duhur që të shkurtojmë reagimin në raste të ndryshme si dhe ofrimin e shërbimeve sa më efikase.”
Aplikacioni “Lajmëro Policinë”, është realizuar në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, ku i pranishëm në konferencën e sotme ishte edhe shefi i këtij Misioni Ndërkombëtar, Jan Braathu, i cili tha: “Misioni i OSBE-së është posaçërisht i kënaqur të ketë rol në përafrimin e komuniteteve me policinë e tyre si dhe të sigurojë që të mos ketë asnjë lloj pengese në lidhje me komunikimin dhe raportimin e çështjeve të sigurisë dhe shqetësimeve që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme. Na duhet që Policia të jetë në hap me shoqërinë, duke i bërë shërbimet e veta sa më të arritshme, për t’i plotësuar nevojat dhe pritjet e shoqërive tona që vazhdimisht evoluojnë.”
Ndërsa, shefi i Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës, Major, Baki Kelani, i pranishëm në konferencën e sotme, tha: “Ky projekt do të jetë edhe një mundësi shtesë që do u nevojitet qytetarëve për të qenë sa më afër me Policinë e Kosovës.”
Ky aplikacion do të ofrohet në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht, ndërsa në të ardhmen do të jetë i qasshëm edhe në platformën ‘iOS’. Të interesuarit mund të shkarkojnë Aplikacionin “Lajmëro Policinë” edhe përmes ‘QR Code’, të cilin mund ta gjeni më poshtë lajmit: