Qëndrimi në telefon gjatë ngasjes, mosrespektim i rregullave të komunikacionit, mospërshtatja e shpejtësisë së mjetit me kushtet e rrugës dhe kushtet atmosferike, janë ndër arsyet kryesore që shkaktohen aksidentet, që vazhdojnë të jenë të shumta në numër në vendit tonë.
Edhe raporti i fundit nga Policia e Kosovës e dëshmon këtë. Në 24 orët e fundit, në vendin tonë kanë ndodhur 19 aksidente me të lënduar, 47 aksidente me dëme materiale dhe fatkeqësisht, një aksident me fatalitet. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Z. Daut Hoxha, përmes frekuencave të Radio KFOR-it, ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që të kenë kujdes të shtuar: “Policia e Kosovës me njësitet relevante të saj, përveç angazhimeve në realizimin e detyrave dhe autorizimeve policore në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë së përgjithshme, po punon me përkushtim dhe intensitet të madh edhe për menaxhim sa më efikas të trafikut rrugor dhe krijimit të një sigurie më të madhe në trafik. Për të arritur objektivat e përbashkëta për një siguri të qëndrueshme rrugore dhe qarkullim pa pengesa, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht nga drejtuesit (vozitësit) e automjeteve, që të shmangin veprimet të cilat ndikojnë në shpërqendrimin e tyre gjatë vozitjes.”
Z. Hoxha, gjithashtu bëri apel tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që t’i shmangen përdorimit të telefonave mobil gjatë drejtimit të automjetit, të mbajnë distancën e duhur në mes automjeteve gjatë qarkullimit, të respektojnë shenjat për kufizimin e shpejtësisë dhe në përgjithësi vozitjen e automjetit ta përshtatin me gjendjen dhe kushtet në rrugë.