Nga fundi i javës së ardhshme, duke filluar nga data 15 nëntor, fillon sezoni dimëror, andaj Policia e Kosovës ka apeluar të gjithë vozitësit që të respektojnë afatin kohor për bartjen e pajisjeve dimërore dhe të jenë të kujdesshëm në vozitje, duke iu përshtatur kushteve të rrugës.
Zyra për Informim e Policisë së Kosovës në një përgjigje për Radio KFOR-in thotë se do të vazhdojnë me aktivitete të shtuara gjatë kësaj periudhe kohore, në mënyrë që të rritet siguria në trafik: “Policia e Kosovës, sipas planifikimeve operacionale, parasheh aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik. Veç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës KËRKON-APELON tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike përgjatë sezonit dimëror.”
Tutje, në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, thuhet se të gjithë shoferët që nuk respektojnë rregullat, do të ndëshkohen. Pjesëmarrësit në trafik në Kosovë duhet të bartin pajisjet dimërore nga data 15 nëntor deri më 15 mars, ndërsa vozitësit që nuk posedojnë pajisjet dimërore gjatë kësaj periudhe kohore, do të dënohen për kundërvajtje.