Çdo 21 mars, kremtojmë “Ditën Botërore të Poezisë”, nismë kjo e UNESCO-s për të nderuar artin e fjalës së shkruar dhe të folur. Kjo ditë shërben për të promovuar diversitetin kulturor, për të mbështetur poetët dhe për të nxitur leximin, shkrimin dhe mësimin e poezisë si një formë arti që lidh njerëzit përtej kufijve dhe gjuhëve. Sa i përket historikut, ka qenë vitit 1999, kur UNESCO e shpalli 21 marsin “Ditë Botërore të Poezisë” dhe çdo vit caktohen tema të ndryshme për të shënuar këtë ditë. Sivjet “Dita Botërore e Poezisë” shënohet nën temën “Poezia si Zë i Paqes”, që thekson fuqinë e vargjeve për të ndërtuar ura mes kulturave dhe për të nxitur dialogun mbi paqen, drejtësinë dhe harmoninë sociale. Përndryshe, poezia ka qenë një nga format e para të komunikimit njerëzor. Para se të ekzistonte shkrimi, njerëzit përdornin vargje dhe ritme për të treguar histori dhe për të kujtuar e bartur ndër breza informacione të rëndësishme. Poemat epike si “Iliada” dhe “Odisea” nga poeti grek, Homeri u transmetuan gojarisht për shekuj me radhë përpara se të shkruheshin. Në “Ditën Botërore të Poezisë”, nderojmë këtë art të përjetshëm që vazhdon të na frymëzojë dhe të na bashkojë përtej dallimeve tona.