Më 21 mars, bota shënon ‘Ditën Botërore të Sindromës Down’, e dedikuar për ndërgjegjësimin dhe mbështetjen e personave me Sindromën Down. Kjo datë simbolike është zgjedhur për të përfaqësuar trisominë-21, një ndryshim gjenetik që shkakton këtë sindromë.
Me moton e këtij viti “Të gjithë jemi të barabartë”, organizatat dhe komunitetet në mbarë botën, theksojnë rëndësinë e barazisë dhe përfshirjes. Nga fushata sensibilizuese e deri te aktivitetet edukative dhe artistike, kjo ditë sjell në vëmendje talentet, potencialin dhe të drejtat e personave me Sindromën Down.
Një nga traditat më të njohura të kësaj dite, është “Socks Challenge”, ku njerëzit veshin çorape me ngjyra të ndryshme për të simbolizuar diversitetin dhe për të shfaqur solidaritetin me komunitetin Down.
OKB-ja thekson se të gjithë kemi një rol, për të krijuar një shoqëri ku personat me Sindromën Down të kenë mundësi të barabarta në arsim, punësim dhe jetë sociale. Ndaj, sot le të ngremë zërin për një botë më të drejtë dhe më përfshirëse për të gjithë!