Që nga viti 2009, çdo 12 nëntor, shënohet ‘Dita Botërore e Pneumonisë’, mirëpo shënimi i kësaj dite sivjet (2021), është i një rëndësie shumë më të madhe. Kështu tha për Radio KFOR-in, Pulmologu Dr. Besim Morina dhe në lidhje me rëndësinë e kësaj dite, shtoi: “Shënimi i ‘Ditës Botërore të Pneumonisë’, ka për qëllim vetëdijesimin e popullatës për pneumoninë. Kjo ditë, sidomos sivjet ka një rëndësi më të madhe se në vitet e shkuara, duke marr parasysh që pneumonia ka qenë kryefjala në shëndetësinë e Kosovës dhe të mbarë botës, përgjatë këtyre dy viteve të përballjes me pandeminë CoViD-19. Ne e dimë që virusi CoViD-19, është paraqitur edhe në forma të rënda që gjithmonë është përcjellë me pneumoni. Prandaj pneumonia këso kohe ka qenë në qendër të vëmendjes së shëndetësisë globale dhe interesit të popullatës.”
Dr. Morina, gjithashtu ka bërë thirrje për respektim të masave anti-kovid, meqë rreziku për rritje të rasteve të reja të të infektuarve ende ekziston, prandaj e vetmja mënyrë që ky rrezik të minimizohet, është që të kemi sa më pak njerëz të pa vaksinuar dhe në të njëjtën kohë, të respektohen të gjitha masat në fuqi.