Integrimi ndëretnik po zhvillohet me sukses me përmirësime të dukshme në shumë fusha në Kosovë, duke përfshirë atë në arsim, kulturë, sport dhe fusha të ndryshme dhe duke integruar të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, nëpërmes projekteve dhe aktiviteteve që organizohen nga shumë organizata në vend. Pjesë e procesit të integrimit tash e disa vite është edhe platforma ‘Kosovo Trustbuilding’, që ka organizuar projekte gjithëpërfshirëse për të gjitha etnitë në vend. Radio KFOR-i kontaktoi koordinatoren e projekteve në këtë platformë, Sanja Stojkovic, e cila tregoi për misionin e kësaj organizate për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse: ‘Kosovo Trustbuilding Platform’ mbledh informacione për iniciativat, arritjet, mundësitë e reja me qëllim të inkurajimit të ndërtimit të besimit në Kosovë, promovimit të storieve pozitive dhe monitorimit të zbatimit të rekomandimeve nga Forumi i Ndërtimit të Besimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo platformë, ka për mision ndërtimin e një shoqërie më paqësore dhe gjithëpërfshirëse dhe promovon nismat dhe përpjekjet e organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile si dhe politika institucionale për ndërtimin e besimit në Kosovë. Për shembull, fushata “Zërat e Kampionëve”, të cilën e realizuam në fillim të punës sonë, përfshiu rreth 1.600 njerëz në Kosovë. Gjatë fushatës, u përfaqësuan 116 kampionë në Kosovë që punojnë për të ndërtuar besimin nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Platforma jonë ‘Kosovo trustbuilding platform’, është një vend që shërben për të frymëzuar, promovuar dhe lidhur akterë të ndryshëm në të gjithë Kosovën, duke promovuar edhe integrimin ndëretnik.”
Znj. Sanja tregoi gjithashtu se integrimi i të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, është një ndër karakteristikat e projekteve të tyre dhe është një veçori e rëndësishme që ndihmon në bashkëjetesën dhe harmoninë midis të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë.