Artisti i njohur, Petrit Halilaj ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Filharmoninë e Kosovës, që kulmon me premierën botërore të operës “Syrigana”. Shfaqja do të mbahet nën qiellin e hapur në fshatin Syriganë, këtë muaj, me datën 29 qershor, si pjesë e festimeve për 25-vjetorin e Filharmonisë.
Opera është inspiruar nga një legjendë vendase që thotë se Adami dhe Eva, u martuan në Syriganë dhe vepra përzien mitin me realitetin bashkëkohor. Opera “Syrigana” është shkruar nga artisti Halilaj, në bashkëpunim me Amy Zion dhe Doruntina Basha, me muzikë nga Lugh O’Neill dhe interpretim nga Filharmonia e Kosovës dhe Banda e Dasmave të Syriganës.
Pas Kosovës, opera do të udhëtojë për në Berlin si pjesë e ekspozitës së Halilajt, që do të mbahet në Galerinë Kombëtare të Artit Bashkëkohor, Hamburger-Bahnhof, në Berlin të Gjermanisë, më 10 shtator, pastaj edhe do ta ketë edhe një performancë speciale më 14 shtator, 2025.







