Me këngën ‘Tren për Përzeren’ të grupit të famshëm ‘Gjurmët’, muzicienti, Rinor Ukimeri, ka filluar serinë e publikimit të udhëzimeve në platformën online, për t’i mësuar të interesuarit të luajnë në kitarë, përmes video-shkollës muzikore me këngë shqipe.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, producenti Ukimeri, ka treguar se kur ka filluar që t’i mësojë të rinjtë në instrumente muzikore dhe pse është riaktualizuar tani: “Këtë nismë e kemi filluar diku para një 1 viti e gjysmë, por u riaktualizua në këtë kohë karantine. Bashkëpunëtorë të këtij projekti kanë qenë: Gjirafavideo (si platformë vendore), Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës. Tani më erdhi ideja me riaktualizu atë, meqë në këtë periudhë më shumë se kurrë kemi kohë në dispozicion, shkaku i karantinës në kohën e pandemisë. Video-shkollat janë të nivelit shumë fillestar dhe me disa orë në ditë çdo kush (jodomosdoshmërisht muzicient) mundet me i mësu këto këngë, të cilat na pëlqejnë dhe i dëgjojmë me ëndje. Këto video do të vazhdoj t’i postoj çdo ditë për dy javët e ardhshme, duke shpresuar se deri atëherë ta kalojmë këtë periudhë të vështirë. Videot mund të gjinden në platformën ‘GjirafaVideo’, duke kërkuar “Rinor Ukimeri”, në Facebook dhe Instagram Fanpage te “Rini School of Music” si dhe në profilin tim privat në Facebook”.
Në fund, Rinori pati një mesazh për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it. “Mesazhi im është që të qëndrojnë në shtëpi, konform rregullave që i kanë vendosur institucionet përkatëse, për të kaluar sa më lehtë këtë kohë, e po ashtu që ta shfrytëzojnë atë në mënyrë sa më kualitative duke ushtruar në kitarë, pasiqë të gjithë kemi kohë, e këto njohuri për të luajtur me kitare do ta na mbesin për tërë jetën.”