Me qëllim të ruajtjes së natyrës përmes riciklimit të shisheve të plastikës, “BasketShishe” organizon nesër (23 gusht), në ora 17:00, në hapësirën e oborrit të bibliotekës së qytetit në Gjilan, takimin e parë me nxënës dhe qytetarë të kësaj komune.
Më shumë hollësi përsa i përket gërshetimit në mes të argëtimit përmes sportit dhe vetëdijesimit për çështje që lidhen me ruajten e ambientit, na tregoi përfaqësuesja nga “Basket Shishe”, Jetmire Maloku e cila tha:
“Ky organizim do të mbahet me qëllim që një grup fëmijësh dhe të gjithë qytetarët të cilët do t’i bashkohen kësaj nisme, të mësojnë më shumë rreth riciklimit dhe çështjeve tjera të natyrës, me të cilat “BasketShishe” merret”.
“BasketShishe” është projekt që synon të ngrisë vetëdijesimin e nxënësve në shkollat fillore të komunës së Gjilanit, në aspektin e riciklimit të shisheve të plastikës dhe çështje tjera të ambientit, duke udhëtuar nëpër këto shkolla dhe duke dërguar tek nxënësit shportat e veçanta të saja.
Projekti “BasketShishe” është financuar nga BE-ja, menaxhuar nga Europian Union Kosovo dhe zbatuar nga Balkan Green Foundation dhe Institute for Development Policy.