Ekipi Ushtarak dhe Civil (CIMIC) i KFOR-it, përmes projekteve të shumta dhe donacioneve vazhdimisht po tregon përkushtimin dhe ndihmën ndaj të gjitha komuniteteve në Kosovë. Sot (09.11.21), CIMIC-u dhuroi makina të qepjes dhe materiale mbështetëse në ‘Qendrën për promovimin e drejtave të Grave, në Drenas, qendër kjo që ndihmon në fuqizimin dhe punësimin e gruas në këtë komunë.
I pranishëm në dhurimin e këtij donacion ishte Zyrtari i projekteve në CIMIC, i cili tregoi për këtë donacion dhe potencoi se ndihma e tyre nëpërmes projekteve të ndryshme do të vazhdojë edhe më tej: “Sot realizuam këtë donacion në ‘Qendrën për promovimin e drejtave të grave,’ në Gllogovc/Drenas, ku dhuruam makina të qepjes për gratë e kësaj qendre të cilat do të përdoren për qepje të maskave dhe gjërave të tjera. Ne jemi krenarë për këtë donacion dhe dhurimin e këtyre shtatë makinave për qepje dhe ky është vetëm fillimi i kësaj, sepse ekipet e LMT-së ((Ekipi Monitorues për Mbikëqyrje), do të ndihmojnë edhe me gjësende të tjera.”
Këtij donacioni iu gëzua edhe shefi i CIMIC-ut në KFOR, i cili theksoi se ky projekt do të ndihmojë në punësimin e grave të këtij rajoni: “Nëpërmes këtij projekti, gratë e kësaj qendre do të qepin maska dhe gjëra të tjera por edhe do të punësojnë gra të tjera në këtë pjesë. CIMIC-u ka projekte të tjera dhe po ndjekë një proces për të gjetur organizata apo grupe të njerëzve që kanë nevojë për ndihmë në Kosovë.”
Në këtë donacion, përfaqësuesja e ‘Qendrës për promovimin e drejtave të Grave’, Kadire Tahiraj, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për këtë donacion të KFOR-it: “Ky donacion ka qenë i mirëseardhur, kemi pranuar makina të qepjes profesionale me të cilat do tu shërbejnë grave në qendrën tonë. Ky donacion do të ndihmojë shumë sepse do të bëhet fuqizimi i grave të kësaj qendre. E falënderojmë KFOR-in përjetësisht, për mbështetjen dhe donacionin sepse KFOR-i që nga themelimi i qendrës sonë, na ka mbështetur dhe na ka vizituar duke kthyer vlerën dhe dinjitetin e gruas në Drenas.”
KFOR-i përmes projekteve dhe donacioneve të shumta të CIMIC-ut, dëshmojnë ndihmën dhe vullnetin e tyre për të qëndruar pranë të gjithë njerëzve në Kosovë dhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre të përgjithshme.