Krahas misionit që ka në Kosovë, qysh nga viti 1999-të, të ofrimit të një ambienti të qetë, të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë, misioni paqeruajtës i KFOR-i në Kosovë, po u del në ndihmë popullatës edhe përmes ndihmës së Ekipit Ushtarak dhe Civil (CIMIC) me projekte e donacione të ndryshme. CIMIC-u, përgjatë 2022-tës ka kontribuuar në përmirësimin e jetës së të gjithëve në Kosovë, në të gjitha fushat e jetës përmes aktiviteteve, dhurimit të pajisjeve të ndryshme si dhe shtytjes së zhvillimit të programeve të ndryshme. Vitin 2022, CIMIC e nisi me ‘Konferencën KFOR CIMIC’ të organizuar në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it. Kjo konferencë e cila pati për qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Organizatave Ndërkombëtare, Organizatave Joqeveritare vendore dhe KFOR-it, ku u tregua një pasqyrë e ndihmës së madhe që KFOR ua bënë të gjitha komuniteteve në Kosovë, pa dallim, përmes donacioneve të shumta. Një donacion i tillë përgjatë 2022-tës, zuri vend në Qendrën e Gjuhëve të Fakultetit Filologjik, në Universitetin e Prishtinës, aty ku, CIMIC dhuroi pajisje të ndryshme, përfshirë laptopë, kompjuterë, printer, tabela inteligjente dhe pajisje të tjera teknologjike. Donacioni i CIMIC për Qendrën e Gjuhëve të Fakultetit Filologjik, u realizuara në muajin prill të vitit 2022, ndërkohë kjo qendër është e hapur për të gjithë të interesuarit, që duan të mësojnë njërën nga gjuhët si: gjuha shqipe, serbe, turke, kroate, gjermane, angleze, italiane, etj. Organizatat jo-qeveritare po ashtu gjetën ndihmën e CIMIC-ut, përgjatë 2022-tës. Në muajin maj, Ekipi Ushtarak dhe Civil (CIMIC) i KFOR-it, me inicimin e LMT-së, dhuruan 1 makinë për qepje, 4 laptopë dhe një kompjuter në organizatën jo-qeveritare ‘Lady-cc4 women’, e cila ofron shërbime të ndryshme për gra, nga të gjitha komunitetet në Kosovë, trajnon dhe ofron konsultime të ndryshme në ndërmarrësi dhe ndihmon gratë në fuqizimin e tyre ekonomik.
Shkollat e Kosovës, përfituan po ashtu nga donacionet e KFOR-it. Në muajin qershor, CIMIC-u (Bashkëpunimi Civilo-Ushtarak) i KFOR-it, u dhuroi pajisje të ndryshme elektronike për SH.F.M.U “Kajtaz Ramadani”, në Stapanicë, të komunës së Malishevës. Ky donacion që kap vlerën prej 3.750 euro, do të ndihmojë nxënësit e kësaj shkolle për një arsimim më cilësor. CiMIC-u gjithashtu u doli në përkrahje edhe Policisë së Kosovës. Në muajin tetor, Stacioni rajonal i jugut – Drejtoria Rajonale e Prishtinës, ka pranuar një donacionin ‘Dhoma Familjare’, që ka për qëllim të sigurojë një ambient të përshtatshëm të trajtimit të viktimave të dhunës. Donacioni për këtë dhomë, përfshinë renovimin total të dhomës familjare dhe krijimin e një ambienti të ngrohtë dhe të kompletuar me pajisjet si: TV, kompjuter, printer, lodra për fëmijë, sofa, rregullimin e tualetit, etj. Në muajin nëntor të vitit 2022, CIMIC-u doli në ndihmë edhe zjarrfikësve në Junik, teksa dhuroi pajisje të ndryshme si: çanta (pompa) shpine për fikjen e zjarreve fushore dhe malore, xhaketa, pantallona shiu dhe çizme të gjata deri nën krah. Njësia e Zjarrfikësve në Junik është krijuar në vitin 2009 dhe që nga ajo kohë, vazhdimisht ndihmohet nga KFOR-i Italian.
KFOR-i, përmes projekteve dhe donacioneve të shumta të CIMIC-ut, secilën ditë po e dëshmojnë praninë e tyre jo vetëm në aspektin e sigurisë dhe paqes në Kosovë, por edhe kontributin në përmirësimin e mirëqenies dhe ndihmës, në sektorë të ndryshëm. KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme dhe paqësore përmes projekteve dhe donacioneve të CIMIC-ut dhe do të mbështesë çdo iniciativë që mund të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt, për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.