Është përmbyllur me sukses “Forumi Rinor Ndër-kulturor”, tre ditor (16-18 tetor), i cili u mbajt në Hotel “Sharri” Prevallë, me të rinj të moshës nga 16 deri në 23 vjeç, nga komuniteti shqiptar dhe serb, i organizuar nga OSBE-ja, Sektori për zhvillimin e Siguri në Bashkësi si dhe nga Policia e Kosovës, konkretisht Komiteti Lokal për Siguri Publike (KLSP), e cila bashkon të rinjtë të cilët punojnë së bashku në përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së jetës së bashkësisë.
Gjatë “Forumit Rinor Ndër-kulturor”, të rinjtë pjesëmarrës patën mundësi të merren me aktivitete të ndryshme, diskutime, kuize të diturisë, mësuan për negocimin, vazhdimin e shkathtësive të negocimit, fenomenet negative tek të rinjtë dhe parandalimin e tyre etj.
Pas gjithë këtyre aktiviteteve të cilat u shpalosën, të rinjtë pjesëmarrës ishin të lumtur me këtë aktivitet: “Jam, Diellza Rama, nga Fushë Kosova, jam studente e fakultetit juridik, në Universitetin e Prishtinës dhe kryesisht nga ky kamp tre ditor kemi marrë njohuri të reja dhe kemi bërë shoqëri të re me të rinjtë serb. Ne të rinjtë, do të mundohemi që të krijojmë një hapësirë sa më të mirë që të çojmë përpara vendin tonë.”
Të njëjtin mendim e kishte edhe Zoran Simiq, përfaqësues i Komitetit Lokal për Gushtericën e Ulët dhe të Epërme dhe Livadi, në komunën e Graçanicës: “Në këtë kamp kemi fituar njohuri të reja dhe unë do u rekomandoja bashkëqytetarëve që të harrojnë dallimet në lidhje me përkatësinë kombëtare ose etnike, mirëpo të bashkëpunojnë për të bërë miq të rinj!”
Punonjësi i OSBE-së, Rrahim Berisha tregoi se qëllimi i këtij program, ishte që të ngritët vetëdija në komunitet dhe për fund dha edhe një mesazh për të gjithë pjesëmarrësit: “Të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë, sepse nëse bashkëpunojnë atëherë e ardhmja do të jetë e sigurt. Të kemi një tolerancë sa më të madhe në shoqërinë tonë, sepse Kosova dihet që është një shoqëri e përbërë prej shumë komuniteteve dhe së bashku duhet të kontribuojmë në këtë aspekt.”
Në ditën e tretë dhe të fundit të “Forumit Rinor Ndër-kulturor”, u mbajt edhe ceremonia e shpërndarjes së certifikatave, për të gjithë pjesëmarrësit.