‘4 YOU’, është revista e vetme në Kosovë, e cila në tërësi i dedikohet të rinjve anembanë Kosovës, e cila për më shumë se 2 dekada, ju ka shërbyer promovimit të vlerave të mirëfillta të shoqërisë, siç janë: paqja, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, arsimimi, etj.
Lidhur me përmbajtjen e numrit vijues të Revistës ‘4 YOU’, Radio KFOR-i kontaktoi menaxheren e kësaj reviste, znj. Leonora Shabanaj Niksic, e cila na zbuloi më shumë hollësi: “Janë të shumta rubrikat që e përbejnë këtë numër të ri të revistës ‘For You’, ku mes tjerash do të veçoja: artikullin për Shkollën fillore dhe të mesme “Kongresi i Manastirit”, në fshatin Studençan, rubrikën ‘Bota rreth nesh’, ku ne sjellim 5 kopshtet zoologjike më të njohura në botë. Sa i përket sportit, aty do kemi artikullin “Diversiteti Multietnik: Rruga përpara për futbollin e femrave në Kosovë”, artikullin “Dhomat mike, një vend i sigurt për viktimat e dhunës në familje”, ku sjellim të rejat e fundit nga intervista e realizuar me përfaqësues të kësaj fushe, rubrikën nga Policia e Kosovës ‘Të shtënat festive, një akt i pamatur dhe i rrezikshëm’. Do ta përmend këtu edhe intervistën në rubrikën e argëtimit, me këngëtaren e njohur nga Shqipëria, Besa Kokëdhima, të cilën do të ua rekomandoja të gjithëve ta lexojnë”, tregoi znj. Shabanaj Niksic.
Përveç temave të shumta që trajton revista ‘4 YOU’, stafi i kësaj reviste, çdo muaj është pranë nxënësve të një shkolle të caktuar, të cilëve ju shpërndajnë numrat e rinj të saj dhe i mirëpret ata që të bëhen pjesë e saj, përmes lojërave të ndryshme shpërblyese, që vazhdimisht i organizon, në mënyrë që të vihet në pah talenti i nxënësve në fusha të ndryshme.