“Dita Botërore e Mësuesit” shënohet çdo vit më 5 tetor, e themeluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).
Kjo datë përkujton përvjetorin e miratimit të Rekomandimit të ILO/UNESCO-s, të vitit 1966, në lidhje me statusin e mësuesve, i cili përcakton standardet në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e mësuesve si dhe standardet për përgatitjen e tyre fillestare dhe arsimimin e mëtejshëm, rekrutimin, punësimin dhe kushtet e mësimdhënies dhe të nxënit.
E shënuar për herë të parë në vitin 1994, “Dita Botërore e Mësuesve” është një festë ndërkombëtare, e cila ka për qëllim të njohë rëndësinë e mësuesve në të gjithë globin.
Motoja e shënimit të kësaj dite ndryshon çdo vit. Në 30-të vjetorin e shënimit të kësaj dite tema e cila është përcaktuar sivjet, është: “Vlerësimi i zërave të mësuesve, drejt një kontrate të re sociale për arsimin”, e cila është një mundësi e shkëlqyer për të shprehur mirënjohjen ndaj mësuesve dhe për të diskutuar rolin jetësor që ata luajnë në formimin e brezave të ardhshëm.







