Organizata joqeveritare ‘Diversity of Mitrovica’, ka përfunduar me sukses projektin “Drama for Change” (Drama për Ndryshim), me të cilin të rinjtë pjesëmarrës kanë udhëtuar në disa qytete të Kosovës, për të dhënë para publikut shfaqjen “Konfuz në oxi(to)² xic”. Për të kuptuar më shumë rreth këtij projekti, Radio KFOR-i ka kontaktuar me Drejtorin e Diversity of Mitrovica, Admir Jukovic: “Projekti, sikurse edhe e kemi planifikuar, ka zgjatur 7 muaj. Provat fillimisht kanë zgjatur më shumë, për arsye se shumica e të rinjve pjesëmarrës, nuk kanë qenë aktorë profesionist në aktrim. Shfaqjet janë dhënë para publikut në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Vushtrri dhe Shtime, ndërsa sfidë kemi pasur situatën me CoViD-19, mirëpo kemi arritur që në 5 qytete të realizojmë projektin në fjalë. Në këto qytete, shfaqja “Drama for Change” (Drama për Ndryshim), është dhënë para publikut në përbërje shumetnike.”
Projekti “Drama for Change” është mbështetur nga Projekti ‘HumanRightivism’, ndërsa është i financuar nga Swedish International Development Cooperation Agency, i implementuar nga Community Development Fund-CDF.
Ndërkohë, siç na njoftoi z. Jukovic, ‘OJQ Diversity of Mitrovica’, së shpejti do të vijnë edhe me një tjetër projekt shumetnik.