Në prani të kryetarit të Komunës së Graçanicës, Srdjan Popoviç dhe Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Barathu, sot (18.09.20), u bë përmbyllja e kampit shumë etnik në tenis, i mbajtur në terrenin e kompleksit sportiv “Dragan Dzajic”, në Graçanicë, me mbështetje financiare nga OSBE-ja.
Në ceremoninë e organizuar, diplomati norvegjez zotëri Jan Barathu, theksoi se edhe më tutje do të vazhdojë të mbështesë projekte që synojnë promovimin e zhvillimit të rinisë, sportit dhe jetesës së shëndetshme: “Jam i lumtur që kam mundësi të mbështes të rinjtë, sepse në këtë mënyrë ne të moshuarit përçojmë vlera që janë përreth nesh, e mendoj se aktivitetet sportive janë një mënyrë shumë e mirë për ta bërë këtë. Ne duhet të punojmë vazhdimisht për të krijuar një mjedis më të mirë për të gjithë ne dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të ndihmojmë të rinjtë të kuptojnë se si të bashkëveprojnë me kolegët dhe fqinjët e tyre. Të gjithë e dimë se duhet të jetojmë dhe të punojmë së bashku, për të kuptuar njëri-tjetrin”.
Radio KFOR-i kontaktoi edhe me pjesëmarrësit e kampit, njëri ndër ta ishte edhe Tarik Hoxha, i cili theksoi: “Kam marrë pjesë në këtë kamp dhe jam argëtuar shumë. Unë tashmë di të luaj tenis dhe këtu kam mësuar disa baza shumë të rëndësishme. Do të vazhdoj të stërvitem, do të luftoj dhe do të përpiqem të jem më i miri ”.
Mirënjohëse u shpreh edhe trajnerja, Marija Djordjevic, e cila për Radio KFOR-in tha: “Fëmijët nga Janjeva, Prishtina dhe komunitetet e tjera ishin këtu. Të gjithë u përpoqëm të jemi të barabartë, pavarësisht nga kombësia dhe besimi. Këtë vit kemi mbajtur distancë, nuk ka pasur përqafime dhe puthje, sepse kemi respektuar masat për të parandaluar virusin COVID-19, por ne shpresojmë që këto t’i bëjmë në vitin e ardhshëm, sepse ne presim që ky kamp të jetë tradicional me mbështetjen e OSBE-së”.
Për shkak të pandemisë COVID-19 dhe ndalimit të tubimeve në vende publike, vetëm disa pjesëmarrës të kampit ishin prezent në ceremoninë e sotme të mbylljes së tij.