Falë një investimit tjetër të radhës nga Bashkëpunimi Civilo-Ushtarak (CIMIC) i KFOR-it, shkolla fillore “Nexhmi Mustafa” në Lebanë, në komunën e Prishtinës, nga sot (18.09.20), është bërë me një park të pajisur me lodra të ndryshme, të cilat do të shfrytëzohen nga nxënësit e kësaj shkolle. Me këtë rast, mësimdhënësja dhe përgjegjësja e shkollës “Nexhmi Mustafa” në Lebanë, Vjollca Berisha tha se sot ishte një ditë e veçantë për shkollën: “Nxënësit ishin të gëzuar pa masë sot, sepse u hap një park i lodrave këtu, lodra të cilat nuk i kanë gëzuar deri më sot. Një falënderim shumë i madh nga nxënësit dhe mësimdhënësit shkon për KFOR-in.”
Në këtë shkollë mësimin e vijojnë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Një moshë e përshtatshme për këndin e lodrave që tashmë e kanë. Ata nuk hezituan që edhe përmes Radio KFOR-it të falënderojnë KFOR-in për këtë mundësi të dhënë:
– “Jam Enesa Behrami, jam nxënëse e kësaj shkolle. Unë tani po ndjehem shumë mirë dhe e falënderoj KFOR- in që na kanë ndihmuar dhe kanë kontribuar në shkollën tonë. Këto lodra na kanë munguar shumë, prandaj jemi shumë të gëzuar.”
– “Unë Jam Benard Shala dhe e falënderoj shumë KFOR-in, sepse neve dhe shkollës sonë na ka munguar shumë një park i lodrave. Unë ju them shokëve dhe shoqeve që të kenë kujdes dhe mos t’i shkatërrojnë.”
Duke investuar në përmirësimin e kushteve në shkolla, investohet ne përmirësimin e nxënies së mësimit për gjeneratat e reja.