Edicioni i dytë i javës për ‘Sigurisë Kibernetike’, është mbajtur në Prishtinë, organizuar nga ‘Innovation Centre Kosovo’ (ICK) dhe ‘Sentry Cyber Security’. Në kuadër të javës për ‘Siguri Kibernetike’, ekspertë të sigurisë kibernetike kanë diskutuar dhe kanë ndarë përvoja të ndryshme për siguri, në teknologjinë informative dhe kompjuterike.
Fitues të njërës nga garat ‘Corporate Networking Hacking’, u zgjodh ekipi i përbërë nga Butrint Komoni, Korab Mulaku, Arti Karahoda, Bardh Krasniqi dhe Premtim Ramadani.
Radio KFOR-i ka kontaktuar me dy pjesëtarët e garave: Butrint Komoni dhe Korab Mulaku, të cilët treguan për këtë eksperiencën e tyre unike në këto gara:
“Java e sigurisë kibernetike ka qenë e ndarë në dy pjesë në konferencë; në gara ekipore dhe individuale. Kjo garë kishte për qëllim kryesor punën e një infrastrukture koorporative, pra sulmin dhe mbrojtjen e bizneseve të mëdha si dhe punën nën presion, ku ne si ekip kemi fituar vendin e parë. Objektiva kryesore ishte që të kemi akses në një rrjet (jo të vërtëtë) korporativ”, treguan ata.
Ata për fund treguan se e vetmja mënyrë për tu edukuar për siguri kibernetike, është që të kemi një rezervë ndaj resurseve që marrim në internet dhe edukimi kibernetik. Ata po ashtu kanë falenderuar organizatorët për mundësinë dhe organizimin e këtyre garave.