Mbrëmë është zhvilluar ceremonia e mbylljes së Lojërave Olimpike “Paris 2024”, ku ndryshe nga ajo e hapjes e zhvilluar në lumin Sena, ajo e mbylljes u zhvillua si zakonisht në stadiumin olimpik.
Përfaqësuesit e të gjitha vendeve pjesëmarrëse, parakaluan me flamujt kombëtar, ku flamurin e Kosovës e mbajtën atletja, Gresa Bakraçi dhe notuesi, Adell Shaboviq. Gjatë 16 ditëve në Lojërat Olimpike Paris 2024, sportistët e SHBA-së ishin më të suksesshmit sa i përket fituesve të medaljeve. SHBA dolën në vend të parë me 40 medalje të arta, 44 të argjendta e 42 të bronzta, me gjithsej 126 medalje të fituara. Në vendin e dytë është pozicionuar Kina me 40 medalje të arta, 27 të argjendta dhe 24 të bronzta, në total Kina ka fituar 91 medalje.
Ndërsa, Japonia në këto Lojëra Olimpike radhitet e treta me 20 medalje të arta, 12 të argjendta dhe 13 të bronzta, ku në total Japonia ka fituar 45 medalje. Përndryshe, Kosova fitoi dy medalje në Paris, një të argjendtë dhe një të bronztë në xhudo, nga xhudistet, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu.
Me një ceremoni të këndshme, me mjaft personalitete të pranishme dhe uniforma shumëngjyrëshe, të dielën (11.08.24), u bë edhe mbyllja e ceremonisë së Lojërave Olimpike “Paris 2024”, ku dorëzimi i stafetës u realizua nga Parisi në Los Anxhelos.







