Ka qenë viti 2014, kur disa të rinj të vullnetit të mirë, u mblodhën bashkë për një kauzë mjaftë jetike, siç është mbledhja e fondeve në mbështetje të fondacionit shëndetësor jofitimprurës, që punon në përparimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve në Kosovë, duke realizuar një turne çiklizmi nëpër Kosovë.
Që nga ai vit, ky aktivitet është shndërruar në një ngjarje tradicionale, siç ndodhi edhe kësaj here, ku çiklistë të shumtë përshkuan me biçikleta nëpër qytetet kryesore të Kosovës, duke kaluar rreth 500 km çiklizëm dhe mbi 6.000 metra ngjitje. Rrugëtimi i këtij aktiviteti filloi më 16 qershor dhe përfundoi më 19 qershor.
Radio KFOR-i ishte prezent në përfundimin e këtij aktiviteti dhe aty morri prononcim nga menaxherja për ngritjen e fondeve në ‘Action for Mothers and Children’, Vesa Kada, e cila shpalosi detaje më shumë rreth këtij turneu: “Këtë vit ‘Cycle Kosovo for Children’, po mbledhë fonde për të ndihmuar Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, përkatësisht Klinikën e Pediatrisë, për të blerë pajisjet e nevojshme, të cilat mungojnë për trajtimin dhe shërimin e sëmundjeve të ndryshme tek fëmijët.”
Ndonëse të lodhur nga rruga dhe i nxehti që mbretëroi këto ditë, entuziazmi i çiklistëve vihej lehtësisht re, meqë rrugëtimi i tyre nuk shkon huq dhe ka qëllim jetik. Pjesëmarrësi, z. Isak Imeri, për Radio KFOR-in u shpreh: “Nuk jam lodhur shumë edhe pse jam 60 vjeç. Unë kam ardhur nga Zvicra për këtë ngjarje dhe patjetër që edhe në vitin e ardhshëm do të jem prezent, plus do të marr edhe shokë me vetë, që ta masivizojmë më shumë këtë aktivitet. Për mua ka qenë një përjetim fantastik, i paharruar”.
E kënaqur për realizimin e këtij qëllimi kaq human, ishte edhe pjesëmarrësja tjetër, znj. Erblina Prishtina: “Ka qenë sfidë goxha e madhe, kemi kaluar kilometra të tëra, por organizimi ka qenë në nivel dhe çdo gjë ka qenë shumë mirë. Unë kam qenë vetëm në dy ditët e fundit dhe jam e lumtur që pas gjithë këtij mundi, qëndron një qëllim tepër i mirë.”
‘Cycle Kosovo for Children’, është kthyer në një traditë të përvitshme, të cilën e mirëpresin shumë entuziastë të çiklizmit, nga Kosova dhe jo vetëm, që të bëhen pjesë e saj.