“Rezultati thelbësor i edukimit, është toleranca” – këto pak fjalë të autores dhe aktivistes së njohur amerikane, Helen Adams Keller, flasin shumë për rëndësinë e tolerancës në një shoqëri demokratike dhe multietnike, e cila trajton në mënyrë të barabartë të gjithë anëtarët e saj, pa asnjë dallim.
Në shoqërinë kosovare është e nevojshme rritja dhe edukimi në frymën e tolerancës dhe pranimit të diversitetit, thotë koordinatorja e grupit “Youth Participation in Decision Making Process”, në Organizatën “United Youth Task Force”, Lorenta Kadriu, e cila në një intervistë për Radio KFOR-in, shtoi: “Gjatë punës sime në shoqërinë civile kam tentuar vazhdimisht që të theksoj se sa e rëndësishme është toleranca në mesin tonë dhe që të gjithë të trajtohemi në bazë të meritave dhe të barabartë. Prandaj, vazhdimisht bëj thirrje që të rinjtë tanë të edukohen në frymën e paqes dhe tolerancës.”
Nëse njerëzit do ta kuptonin vlerën e vërtetë të tolerancës, bota sot do të dukej shumë më ndryshe, thotë për Radio KFOR-in, Stefan Filipovic, nga Organizata “Qendra për Paqe dhe Tolerancë”, në Graçanicë, i cili shtoi: “Nëse shoqëria jonë nuk është shoqëri e tolerancës me kapacitet të plotë, atëherë është faji ynë. Një shoqëri multikulturore, është qëllimi për të cilin duhet të përpiqemi. Toleranca nënkupton pjesëmarrje në ruajtje dhe vlerësim të kulturës dhe identitetit të të tjerëve, me të njëjtën vendosmëri me të cilën mbrojmë kulturën dhe identitetin tonë.”
Në një shoqëri demokratike nuk paragjykohen, por respektohen dhe trajtohen si pasuri dallimet etnike, kulturore apo edhe të tjera të anëtarëve të saj.