“Jo të gjithë prej nesh mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, është njëra prej shumë thesareve fjalëve të urta që i kemi trashëguar nga Nënë Tereza, e cila na ngjallë kujtime çdo herë e sidomos sot, me 5 shtator, teksa shënojmë “Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë”. Kjo ditë e cila është një nismë globale, synon të nxisë ndjenjën e solidaritetit dhe ndihmës ndaj atyre që janë në nevojë.
“Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë” është themeluar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2012 dhe qëllimi i saj është të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e bamirësisë në përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetet e varfra dhe të margjinalizuara në mbarë botën. Data 5 shtator, është zgjedhur për të nderuar kujtimin e Nënë Terezës, e cila ndërroi jetë në këtë datë, në vitin 1997.
Nënë Tereza është një simbol i përkushtimit dhe përkujdesjes ndaj të varfërve dhe të sëmurëve. Puna e saj bamirëse në Indi dhe në mbarë botën, frymëzoi breza të tërë që të përfshihen në ndihmën ndaj atyre që janë më pak të favorizuar.







