Kjo e diele në Prishtinë do të jetë pak më ndryshe, me një aktivitet më shumë për adhuruesit e ahengjeve në rrugë.
Të gjithë që ndodhen në kryeqytet këtë vikend, do të kenë mundësi që për herë të parë të marrin pjesë në “Street Party”, aktivitet ky i organizuar nga “Next Level”, nën Patronatin e Komunës se Prishtinës dhe në bashkëpunim me kafet e vogla në Prishtinë, si: Etno, Che Bar, Monroe, Large Bar, Trock, Lips dhe Annex.
Nga ora 13:00 deri në orën 23:00, të pranishmit do të kenë mundësi të argëtohen me muzikë të përzgjedhur, ku do të ketë art, argëtim dhe inovacion. Sa i përket muzikës, të pranishmit do ti argëtojnë: D Master, Bannzz, Dagz, PM, Geek, Gesundheit, Funk OFF, DJ MiM dhe mysafirja speciale nga Japonia, HITO.
Përveç muzikës në “Street Party” do të ketë edhe një “Open Gallery”. Pikërisht për këtë aktivitet, jo të zakonshëm për Kosovën, Radio KFOR-i kontaktoi pronarin e Kompanisë “Next Level”, Ardin Badivukun, i cili na tregoi më shumë rreth këtij aktiviteti:
“Do të ketë shumë laramani, do të ketë muzikë do të ketë artistë, ku të pranishmit mund të shohin edhe krijimtaritë e tyre artistike. Ata mund të blejnë ndonjë pikturë nëse ju pëlqejnë, gjithashtu do të ketë kënd për inovacione të ndryshme, ku artistë të ndryshëm të rinj që kanë bërë bujë nëpër Evropë dhe botë me punën e tyre do të jenë aty prezent.”
Ideja e organizimit të “Street Party”, është që të shndërrohet në një aktivitet tradicional, por që çdo herë pritet të ketë shtim të aktiviteteve.