6 shtatori i është ndarë Ditës Botërore për Vetëdijësimin e Verbërisë së Ngjyrave.
Kjo ditë ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe shtimin e kujdesit për sytë, për verbërinë e ngjyrave apo mungesës së vizionit për ngjyra.
Verbëria e ngjyrave është gjendje e zakonshme gjenetike dhe nga ajo janë të prekur miliona njerëz në botë.
Ass. dr. Afrim Shabani, mr. sci. oftalmolog, në një intervistë për Radio KFOR-in tregon se verbëria ndaj ngjyrave ndryshe njihet edhe si sëmundje e gjinisë mashkullore.
“Zakonisht kemi problem në dallimin e 3 ngjyrave bazë, por më e shpeshta është dallimi në ngjyrën e kuqe që është më njohur tek njerëzit. Duhet ta dini që verbëria ndaj ngjyrave është një sëmundje dhe bëhet përmes çrregullimeve kromozomale dhe i prekë meshkujt, për arsye se trashëgimia bëhet përmes një kromozomi X që ka gjinia mashkullore e gjinia femërore vetëm mund të jetë bartëse tek fëmija mashkull. Shumë, shumë rrallë ndodhë ndonjëherë që gjinia femërore të ketë probleme me dallimin e ngjyrave”.
Verbëria ndaj ngjyrave është e shprehur në tri ngjyrat bazë, kështu na shpjegoi edhe oftamologu Afrim Shabani:
“Ngjyra e kuqe, e gjelbër dhe e kaltër, janë 3 ngjyrat bazë ku me kombinimin e këtyre ngjyrave fitojmë koloritin ose nuancat tjera të ngjyrave, për arsye se në sy kemi disa qeliza me të cilat i pranojmë këto tri ngjyra dhe në bazë të përceptimit atëherë ne e fitojmë një ngjyrë – kjo është ajo teoria bazë që ne e spejgojmë se si i dallojmë ngjyrat. Personat që kanë probleme ose çregullime me këto qeliza, atëherë kanë probleme në dallimin e ngjyrës”.
Disa statistika globale për verbërinë në ngjyra tregojnë që 1 në 20 njerëz, vuan nga verbëria e ngjyrave dhe kjo bënë për ta botën një vend më të zymtë.
Në rast se keni probleme me dallimin e ngjyrave, kjo mund të ju limitoj në zhvllim e karrierës në fusha të ndryshme. Mirëpo, e rëndësishme është që të bëhen teste për të kuptuar nëse vuani nga një çrregullim i tillë dhe kështu edhe mund të mësoni që t’a përballoni sa më mirë këtë çrregullim, pasi që shumë njerëz mendohet që vuajnë nga ky çrregullim, mirëpo nuk janë në dijeni që janë të prekur nga ajo.