Kosova për herë të parë u përballë në nivel ndërkombëtar me Austrinë, në sportin luftarak të ragbit, të shtunën që e lamë pas, më 01 prill, në stadiumin e Hajvalisë, në Prishtinë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme sportive, i pranishëm ishte edhe Radio KFOR-i, për të cilin u prononcua presidenti i Federatës së Rugbit të Kosovës, z. Ndrec Musolli, i cili tha: “Jemi munduar të japim gjithçka, lojtarët janë të motivuar dhe stafi ynë ka dhënë më të mirën nga vetja. Qëllimi ynë është promovimi i sportit të ragbit, duam të shkojmë në çdo shkollë, të ia shpjegojmë nxënësve se sa social është ky sport. Them se të gjithë fëmijët, por edhe të rriturit duhet të merren me sport, qoftë me ragbi, futboll, basketboll apo sporte të tjera, sepse përfitimet shëndetësore dhe sociale janë shumë të mëdha”, theksoi z. Musolli.
I emocionuar për këtë ndeshje, ishte edhe trajneri i përfaqësueses së Kosovës, z. Marc Barrett, i cili mes tjerash tha: “Kemi një grup të mirë lojtarësh dhe kemi punuar shumë për të arritur deri këtu. Kjo lojë është në një garë që quhet gara e zhvillimit të Evropës në ragbi dhe më pas ka një sistem promovimi.”
Pas më shumë se 85 minutash lojë, Kosovën e mposhti Austria, me rezultat 51 me 7. Kujtojmë se Federata e Ragbit të Kosovës është organi drejtues i ragbit a-15, ndër federatat më të reja ekzistuese, e themeluar në vitin 2018 dhe është pjesë e Rugb Europe, që nga dhjetori i vitit 2021.