Simptomat e alergjive mund t’i ngatërrojmë, me ato të një ftohjeje të zakonshme, por nëse këto simptoma janë më intensive se zakonisht dhe vazhdojnë për një kohë më të gjatë se sa një ftohje apo grip, atëherë duhet që pa vonesë, të procedojmë me diagnostikim alergologjik.
Rreth shfaqjes së alergjive në Pranverë apo gjatë kësaj periudhe të vitit, për Radio KFOR-in ka folur specialistja e sëmundjeve alergjike dhe imunologjike, Prof. Dr. Luljeta Ahmetaj: “Gjatë stinës së pranverës, paraqiten alergjitë ndaj poleneve. Siç e dini, poleni është grimcë që shumëzon bimët. Në pranverën e hershme, nga shkurti deri në mars polenizojnë pemët e larta, ndërsa nga muaji mars deri në maj, polenizojnë barishtet si dhe në vjeshtë është aktiv poleni i shkurreve.”
Ajo tregoi se në këtë periudhë, kujdes të shtuar duhet të kenë personat që kanë probleme me alergjitë e polenit.
Alergjitë shfaqen kur sistemi ynë imunitar reagon ndaj një substance të huaj. Janë të njohura lloje të ndryshme alergjive, si alergjitë në polen, në pluhurin e shtëpisë, alergjitë e medikamenteve, nga pickimi i insekteve, etj.