Klubi Alpin Prishtina fton të gjithë çiklistët dhe adhuruesit e natyrës që t’iu bashkëngjiten këtë të shtunë (27 prill), që të pedalojnë rreth Liqenit të Batllavës dhe zonës së Gollakut.
Sektori i çiklizmit i klubit Alpin Prishtina thekson se kjo shëtitje me biçikleta ka karakter shëtitës, trajnues dhe relaksues. Në një prononcim për Radio KFOR-in, organizatori i shëtitjes, Atdhe Sylaj tha se shëtitja është promovim i çiklizmit dhe i natyrës: “Ftojmë të gjithë për të provuar diçka të re, me sfidu veten dhe pse jo me i pa nga një kënd tjetër bjeshkët e Gollakut, është një ndjenjë e veçante të jesh me biçikletë në ato zona”, tha Sylaj, që njëherit është edhe guidë i certifikuar i çiklizmit.
Nisja për t’ju bashkangjitur këtij aktiviteti do të bëhet nga Hotel Grand-i, nga ora 08:00 dhe pritet të zgjat rreth tetë orë, ndërsa largësia pritet të jetë rreth 74 kilometra. Vështirësia e terrenit është mesatare. Klubi Alpin kërkon nga pjesëmarrësit që ti kenë pajisjet bazike të çiklizmit si helmetën, syze mbrojtëse dhe gomën rezervë.