Ndeshja në basketboll ndërmjet Kosova U16 dhe ekipit të Don Boskos, do të mbahet në shenjë solidarizimi me personat e prekur nga autizmi. Ndeshja miqësore e basketbollit do të mbahet më 27 prill, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, duke filluar nga ora 12:00 deri në ora 14:00.
Drejtoresha e organizatës ‘Autizmi Flet’, Violeta Hyseni i tha Radio KFOR-it se synimi është që të promovohet integrimi dhe gjithëpërfshirja e personave të prekur me spektrin e autizmit në shoqërinë tonë. “Muaji prill është muaji i autizmit. Një prej ngjarjeve do të jetë edhe ndeshja e basketbollit. Fëmijët dhe të rriturit të prekur nga autizmi atë ditë do të angazhohen po ashtu me aktivitete,” tha Hyseni.
Ky aktivitet është mbështetur nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës dhe QendraSociale – Edukative “Don Bosko” si dhe Federata e Basketbollit të Kosovës. Bileta për hyrje është 1 euro dhe të hollat e grumbulluara do të ndahen për fëmijët me autizëm.