Tash e disa javë, në Kosovë ka rënë numri i rasteve pozitive me CoViD-19, gjë që ka ndikuar në lehtësimin e masave kufizuese nga ana e Qeverisë së Kosovës, pas rekomandimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, për Radio KFOR-in ka thënë se ndryshimi i fundit i masave është bërë duke pasur parasysh faktin se shumica e komunave të Kosovës tanimë ndodhën në zonën e verdhë dhe të gjelbër: “Situata ka qenë e menaxhuar sa i përket COVID-19, shumica e komunave janë në zonën e verdhë dhe të gjelbër, ndërsa vendimi i fundit ka pasur për qëllim që t’u jap më shumë mundësi bizneseve që të punojnë, gjithnjë nën kushtet që të respektohen masat e vendosura nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë. Qytetarët duhet të mos e harrojnë asnjëherë faktin se ende jemi në emergjencë të shëndetësisë publike, përkatësisht në pandeminë COVID-19.”
Në anën tjetër, infektologu, Boban Stolic, ka apeluar për respektim të masave anti-covid: “Situata aktuale me virusin është më mirë se që ka qenë në fund të vitit të kaluar. Është zvogëluar dukshëm edhe numri i ekzaminimeve dhe aktualisht kemi më shumë pacientë të shëruar sesa të shtruar në spital. Mesazhi im për të gjithë dëgjuesit është që nuk është koha të relaksohemi. I apeloj secilit që të dëgjojnë rekomandimet dhe t’i përgjigjen pozitivisht vaksinimit, sepse vaksina është drita që po shihet në fund, për t’iu kthyer normalitetit në jetën tonë!”.