Çdo vit, në javën e dytë të prillit, komuniteti global bashkohet për të shënuar ‘Javën e Ndërgjegjësimit për sëmundjen e Parkinsonit’, një periudhë kjo shtatë ditore, e dedikuar për të rritur ndërgjegjësimin rreth sëmundjes së Parkinsonit dhe për të mbështetur të prekurit nga kjo sëmundje. Kjo javë na shërben edhe si një mundësi për të edukuar, për të shpërndarë informacione të vlefshme dhe për të ndihmuar në krijimin e një shoqërie më të kuptueshme dhe mbështetëse për njerëzit që jetojnë me Parkinson.
Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim neurodegjenerativ që ndikon në sistemin nervor qendror, që prekë lëvizjet e trupit, duke shkaktuar një mori simptomash. Ajo shkaktohet nga humbja e qelizave që prodhojnë dopaminë, një kimikat i rëndësishëm që ndihmon në kontrollimin e lëvizjeve të trupit. Simptomat e zakonshme përfshijnë dridhje, ngurtësi muskulore, vështirësi në ecje dhe qëndrim si dhe probleme me koordinimin e lëvizjeve.
Megjithëse nuk ka një kurë për Parkinsonin, ekzistojnë shumë mundësi trajtimi, përfshirë medikamente dhe terapi fizike.
Sëmundja e Parkinsonit është një sfidë e vazhdueshme, por me avancimin e kërkimit dhe ndërgjegjësimin, ka shpresa të mëdha për përmirësimin e trajtimit dhe mundësive të jetesës për ata që janë të prekur.







