Sot (1 shtator), kur të gjitha oborret e shkollave do të duhej të ishin të mbushura me nxënës, me ata që për herë të parë do të uleshin në bankat shkollore dhe të tjerët që vazhdojnë mësimin, është krijuar një paqartësi e madhe, ngase në njërën anë, Ministria e Arsimit bën thirrje që të nis procesi mësimor dhe fëmijët të dërgohen në shkolla, e në anën tjetër Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thotë se greva vazhdon dhe nuk do të ketë mësim.
Në konferencën e së mërkurës, të organizuar nga MASHT-i, Ministria Arbërije Nagavci, tha se më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Kosovë dhe se askush, përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ta të drejtë ta thotë të kundërtën.
Edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës bën thirrje që mësimi të fillojë sot, me 1 shtator, duke e cilësuar të papranueshme që në këtë datë, nxënësit të jenë në shtëpi, duke qenë se kjo është edhe një ditë feste. Këshilli deklaron se greva e tërësishme dhe e pakufizuar në sistemin arsimor, është veprimi më ekstrem sindikal, që godet drejtpërdrejt vetëm fëmijët dhe prindërit.