Teknologjia po transformon gjithçka, përtej çdo njohjeje, me mundësitë e shumta novatore. E megjithëse bota përgjatë vitit 2020, është përballur me pandeminë e shkaktuar nga CoViD-19, kjo nuk e ka ndaluar teknologjinë, përkundrazi teknologjia ka qenë më aktive se kurrë. 2020-ta në historinë e teknologjisë ka lënë gjurmë në fushën e robotikës: Anije pa drejtues dhe dronë autonomë, tani mund të përdoren për pastrimin e plastikës në oqeane. Madje shkencëtarët na patën befasuar edhe me kohën se kur një gjë e tillë mund të jetësohet, që sipas tyre kjo teknologji mund të fillojë të përdoret brenda pesë vjetëve.
Në 2020-ën erdhi aeroplani elektrik, i cili nuk është vetëm ide e mbetur në sirtar, por një marrëveshje e nënshkruar nga një kompani lokale në Australinë e Jugut. E po në 2020-ën u zyrtarizua edhe vetura e parë fluturuese me tri rrota.
Pandemia e shkaktuar nga CoViD -19 “alarmoi” kompanitë teknologjike, kështu përgjatë 2020-tës, kemi qenë dëshmitarë të shumë inovacioneve në luftën kundër pandemisë. Gjermania, krijoi aplikacion telefoni me qëllim të shkëputjes së zinxhirit të infeksionit. Aplikacioni i quajtur “Covid-Warn-App”, matë kontaktet e ngushta mes njerëzve, përderisa gjigandi Amazon, përdori kamera të sofistikuara për të shqyrtuar nëse punëtorët e saj po ndjekin udhëzimet e distancës sociale përmes “Asistentit në distancë”.
Ka pasur shumë kompani që ia kanë parë ‘hajrin’ pandemisë. Për shembull, aplikacioni Zoom ka fituar titullin si aplikacioni më i përdorur në mbarë botën për video-konferenca në distancë, e kjo i ka mundësuar kompanisë amerikane që të tejkalojë çdo parashikim për te ardhura, të cilat gjatë 7 muajve të parë të 2020-tës, arritën në 663.5 milionë dollarë fitime. Ndërsa aplikacioni i famshëm TiK Tok, përgjatë 2020-tës arriti në 2 miliardë shkarkime, duke u kthyer në pothuajse aplikacionin e mijëvjeçarit.