Sot (19.10.22), ka nisur ‘Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Ushqimit’ (AGROKOS), duke mbledhur mijëra sipërmarrës të firmave vendore dhe ndërkombëtare nga sektori i agrobiznesit. Fokusi kryesor i këtij panairi, është të shërbejë si një urë bashkëpunimi me vendet evropiane dhe më gjerë, ku vizitorët dhe bizneset kanë mundësi të zhvillojnë biznesin e tyre përmes trajnimeve, seminareve, konferencave dhe diskutimeve të ndryshme.
Radio KFOR-i ishte pjesë e ditës hapëse të panairit, që po zhvillohet në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë dhe zhvilloi një intervistë me drejtorin ekzekutiv në shoqatën e përpunuesve të frutave dhe perimeve të Kosovës (PEPEKO), z. Hartin Gashi, i cili tregoi edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer që kanë komunitetet e ndryshme që janë pjesë e kësaj shoqate: “Shoqata jonë ekziston prej vitit 2015, krijuar nën inicimin e USAID-it. Në kuadër të shoqatës sonë, kemi të anëtarësuar kompani që merren me përpunimin e frutave dhe perimeve. Kemi mbi 35 anëtarë, nga të gjitha komunitetet, ai serb, turk, boshnjak dhe të tjerë. Kompanitë e të gjitha komuniteteve që kemi në shoqatë kanë bashkëpunim të shkëlqyer, takohemi në aktivitete të ndryshme dhe në shumicën e rasteve, qëllimi kryesor është ndarja e eksperiencave dhe nxitja e dialogut social në mes të etnive të ndryshme në Kosovë, që merren kryesisht me pemët dhe perimet, pasi që të gjithë kanë qëllim prodhimin e produkteve të sigurta dhe të shëndetshme për të gjithë banorët e Kosovës.”
E pranishme në këtë panair ishte edhe znj. Aleksandra Popoviq, nga rajoni i Ranillugut, e cila për Radio KFOR-in tha që beson se ky panair është një mundësi e mirë për bashkëpunim dhe promovim të kompanisë së saj me emrin “Prirodom do zdravlja” (Nga natyra tek shëndeti), e cila merret me përpunimin e frutave, perimeve dhe prodhimin e ushqimeve shtëpiake dhe më tej shtoi: “Unë për herë të parë po marr pjesë në këtë panair. E gjithë kjo është prodhim vendor, reçel kumbullash, ajvar, liker… Njerëzit duken të interesuar, po i provojnë, po i pëlqejnë dhe po i blejnë produktet. Këtu vijnë njerëz nga të gjitha nacionalitetet dhe kam shëtitur pak dhe provova produkte nga stendat e tjera këtu. Shoh që ka kompani shumë të forta që kanë vite që janë në biznes. Do të jem e lumtur të kthehem përsëri vitin e ardhshëm.”
Një nga të pranishmit në këtë panair, ishte edhe përfaqësuesi i kompanisë pjesëmarrëse ‘Green Food’, z. Nehat Taçi, i cili po ashtu konfirmoi bashkëpunimin e ngushtë me komunitetet e tjera në vend: “Të gjithë anëtarët që jemi në PEPEKO, jemi shumë të kënaqur me bashkëpunim, si me shqiptarë, serb, turk apo rom. Po bëhen organizime të bukura, sikurse ky panair, në të cilin nuk do të mund të merrja pjesë, pa ndihmën e PEPEKO. Kompania jonë eksporton rreth 85% të produkteve në Evropë. Unë jam shumë i kënaqur që kam siguruar tregun në Evropë, bashkë me kompanitë shqiptare dhe boshnjake.”
Panairi AGROKOS do të vazhdojë të mbahet edhe nesër (20.10), nga ora 10:00 deri në orën 18:00, në hapësirat e Pallatit të Rinisë. Pjesëmarrja në këtë panair mbështetet nga projekti #SIRED i Caritas Switzerland in Kosovo dhe financohet nga Austrian Development Agency.